Baba Mondi me zëvendës turk? Gazetari tregon si do të funksionojë udhëheqja e shtetit Bektashi

Nga A2 CNN
6 Korrik 2025, 21:27 | Aktualitet

Gazetari shqiptar që jeton dhe vepron në Turqi, Sokol Brahaj, zbuloi në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN se në rast të krijimit të shtetit Bektashi në Shqipëri, atëherë një nga zëvendësuesit e “Baba Mondit” do të jetë shtetas turk.

“Nuk e ka emrin shteti shqiptar Bektashi, por e ka emrin shteti i urdhrit Bektashi. Dhe nëse do të realizohet kjo në Shqipëri, që mund të realizohet nuk ka asnjë problem. Nëse ndodh, pas Baba Mondit, Babai tjetër, kryetari i dytë, i tretë apo i katërti, është automatikisht nënshtetas turk., pasi numri i Bektashinjve është në Turqinë e sotme. Dhe për këtë si puna e Papës, e kemi nga Argjentina, nga Amerika”, tha Brahaj në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.

Ai deklaroi më tej se marrëdhëniet turko-shqiptare asesi nuk do të ndikohen nga krijimi i këtij shteti dhe se Bektashinjtë që jetojnë në Turqinë moderne e kanë mirëpritur këtë ide pasi duan të ketë një lider shpirtëror dhe zyrtar të tyrin.

“Për këtë politikisht, Turqia, nëse zhvillohet një projekt i tillë në Tiranë, atëherë kjo nuk do të jetë një gjë negative për marrëdhëniet turko-shqiptare. Marrëdhëniet turko-shqiptare kanë qenë të mira, do të jenë dhe kjo nuk besoj se do të ndikojë. Por kemi edhe disa gjëra, që në Turqi ndahen në Bektashi dhe Alevitë dhe këta janë në një shoqatë këtu. Asnjë e drejtë nuk i është dhënë Bektashinjve në Turqinë moderne, dhe për këtë aspekt Baballarët e Bektashinjve e duan që të bëhet shteti i Bektashinjve, të paktën ta kenë një lider shpirtëror dhe zyrtar atje. Ndërsa Alevitët e lidhur me Iranin nuk e duan shtetin Bektashi, pasi pretendojnë se përçahet bektashizmi”, deklaroi Brahaj në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos