Në një kohë kur në kryeqytet por edhe në mbarë vendin ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike të zaptuara ndër vite nga bizneset, kryeministri Edi Rama që e inicioni këtë lëvizje, nuk i ndahet Vlorës dhe situatës së krijuar në qytetin bregdetar.
Përmes një postimi në platformën ‘X’, shefi i qeverisë duke marrë si shembull pedonalet kryesore të Parisit e Londrës, shkruan se edhe Lungomarja e Vlorës është një hapësirë që u përket njerëzve dhe jo barrikadave.
“Asnjë problem me karriget dhe shërbimin në një pjesë të trotuarit, si në Paris, Londër apo Neë York, por pa harruar që trotuari është i njerëzve dhe kurrsesi i barrikadave, si në Lungomare”, shkruan Rama në ‘X’.
Më tej, kryeministri nënvizon se ka ardhur koha për të çliruar trotuaret nga barrikadat dhe për ta ngritur edhe shërbimin edhe dukjen në një nivel të ri, të denjë për Shqipërinë turistike.
Sipas tij çlirimi i hapësirave publike në Vlorë do të pasohet nga një dizajn i ri i menaxhimit të Lungomares, ndaj i fton bizneset që të bashkëpunojnë me instituciuonin e qeverisjes vendore në këtë kuadër.
“Lungomarja është modeli i vijës ujore të një qyteti turistik bregdetar, tani duhet dhe do të jetë model i dizajnit të jashtëm të një vije shërbimesh. Prandaj pronarët e menaxherët e vijës së shërbimeve, duhet të heqin vetë tërë barrikadat dhe të bashkëpunojnë me bashkinë e Vlorës e me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit për dizajnin e ri, për të cilin do t’i mbështesim me kënaqësi”, shprehet Rama. (A2 Televizion)