
Gazment Bardhi iu kthye edhe njëherë historisë së mbledhjes së firmave nga “Foltorja” për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Ai u shpreh se nëse këto firma do të ishin depozituar sipas statutit në protokollin e PD, pas verifikimit të tyre do të kishte ushtruar detyrën si sekretar i përgjithshëm për të thërritur kuvendit pavarësisht mendimit që do të kishte kryetari.
“E them për herë të parë. Kisha përgatitur një dalje për mediat, menjëherë sapo të depozitoheshin firmat e mbledhura në protokoll, ku do të informoja demokratët që në selinë e PD se kam administruar kërkesën për thirrjen e Kuvendit do të kërkoja thirrjen e kryesisë për të miratuar orën, datën për Kuvendin. Nuk mund të ndodhte kurrë që unë si sekretar i PD të injoroja vullnetin e vërtetuar të atij numri të nevojshëm të anëtarëve për thirrjen e Kuvendit. Nëse ato firma do ishin depozituar në protokoll, cilido të ishte qëndrimi i kryetarit të partisë, unë si sekretar i përgjithshëm do të kisha marrë të gjitha masat për të organizuar Kuvendin dhe do të isha prezent aty”, deklaroi Bardhi. (A2 Televizion)