Fitër Bajrami, myftiu i Tiranës: Çdo besimtar, i detyruar të japë lëmoshë. Sfida jonë është rinia

Nga A2 CNN
13 Maj 2021, 08:22 | Aktualitet
Fitër Bajrami, myftiu i Tiranës: Çdo besimtar, i detyruar

Myftiu i Tiranës, Lauren Luli, ka folur në “Dita jonë” për festën e Fitër Bajramit dhe sakrificën e besimtarëve myslimanë në muajin e shenjtë të Ramazanit. Sipas tij, çdo besimtar është i detyruar të japë lëmoshë deri në festën e Fitër Bajramit.  

“Sot presim që të përfitojmë nga ato mirësi jo vetëm të Allahut, por edhe nga zhveshja e veseve dhe duke dalë në shesh si njerëz të transformuar moralisht dhe shpirtërisht. Falja në shesh për të pritur shpërblimin e një muaji sakrifice. Besimtari duhet të privohet nga disa gjëra në mënyrë që t’i përkushtohet adhurimit, mund të quhet si dietë shpirtërore dhe për t’u bërë njerëz më të mirë. Dhe në fund, përmbyllet me dhënien e lëmoshës. Besimtari është i detyruar të japë lëmoshë, është i detyruar ta bëjë këtë gjë, deri në momentin që del në shesh për faljen e Bajramit. Se kjo është mbyllja e Ramazanit”.

Për myftiun e Tiranës, sfida e Komunitetit Mysliman është rinia, me qëllim për ta larguar nga veset dhe gjërat e padobishme. Sipas tij, besimi luan një rol rregullator.

"Rinia është sfida jonë me të cilën përballemi çdo ditë se ka gjëra të tjera që i tërheqin drejt gjërave të padobishme dhe institucioni ynë e ka në plan të parë angazhimin me rininë. Duke filluar nga shkolla fillore. Besimi luan një lloj rregullatori për të gjetur rrugën e saktë, të angazhohen në punë të dobishme, t’i përkushtohen arsimit. Besimi e detyron njeriun të jetë i suksesshëm në punë dhe në jetë duke lënë mënjanë ato që zbehin çdo detyrë”.

Myftiu Luli thekson se më përpara rinia kishte turp t’i qasej besimit për shkak të frikës së terrorizmit islamik, por tashmë janë më të hapur dhe e shohin besimin si mënyrë jetese.

“Kemi pasur shumë probleme më parë, kishte një lloj turpi që njerëzit të afroheshin dhe besonin. Sot, shohim një rini më të qetë dhe më e hapur dhe pa e parë besimin si terror, e shohin si mënyrë jetese si një koncept që i ndihmon të hedhin hapa të suksesshëm”.

Ai tha se komunitetet fetare vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në shoqërinë e vendit tonë dhe japin mesazhe që e bëjnë më të lehtë këtë periudhë pandemie, jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë botën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos