Zemërimi popullor gjunjëzon qeverinë franceze, e cila u detyrua të tërhiqet përfundimisht nga rritja e taksës së karburanteve.
Një ditë pasi njoftoi pezullimin gjashtë mujor të vendimit, kryeministri Eduard Philippe tha se rritja e taksës ishte hequr nga projektligji i buxhetit për vitin 2019-të.
‘Nëse shteti do të mbetet i fortë e i qëndrueshëm ai duhet të jetë mbi të gjithë garantuesit e rendit publik. Kjo është e nevojshme për një qeverisje të mirë. Ashtu siç thashë dje, asnjë taksë nuk vlen, nëse ajo rrezikon unitetin e vendit”, deklaroi kryeministri francez.

Philippe deklaroi para dhomës së ulët të parlamentit se qeveria ishte e gatshme për dialog. Më herët kryeministri njoftoi gjithashtu pezullimin e rritjes së çmimit të gazit natyror dhe elektricitetit.
Ky konsiderohet një hap i madh prapa për qeverinë e presidentit Emanuel Macron, i cili ka thënë se masat janë të nevojshme për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për përmbushjen e objektivave për reduktimin e deficitit në buxhet.

Protesta e jelekëve të verdhë ka prekur qytetet më të mëdha franceze përgjatë tre fundjavave të fundit. E nisur fillimisht si pakënaqësi ndaj rritjes se çmimit të naftës, ajo u kthye shpejt në revoltë të dhunshme kundër kostove të larta të jetesës.
Katër persona kanë humbur jetën që prej nisjes së trazirave. Manifestime të tjera janë planifikuar këtë fundjavë. (A2 Televizion)