Fjalët e ashpra të Messit, trajneri i Barcelonës: Nuk jam dakord me disa gjëra

Nga A2 CNN
18 Korrik 2020, 13:44 | Futboll
Fjalët e ashpra të Messit, trajneri i Barcelonës: Nuk jam dakord

Quique Setién, trajneri i Barcelonës, komentoi deklaratat e Leo Messit pas ndeshjes ndaj Osasunës, kur Real Madrid zyrtarizoi titullin kampion në Spanjë. Argjentinasi tha se në gjendjen aktuale, Barça nuk ka shanse për të fituar Champions League dhe theksoi se shumë gjëra duhet të ndryshojnë.

Setien deklaroi se ka gjëra për të cilat është dakord me Messin, por ka edhe gjëra të tjera për të cilat nuk ndan të njëjtin mendim.

“Nëse luajmë keq, siç kemi bërë në disa ndeshje, nuk e fitojmë dot Champions-in. Nëse luajmë mirë, siç kemi luajtur në disa ndeshje të tjera, e fitojmë. Duhet të përmirësojmë shumë gjëra, por nëse luajmë si ndaj Villarreal, e sigurtë që kemi mundësi për të fituar Champions-in”, tha Setien, e ardhmja e të cilit te katalanasit është në fije të perit pas “shpërthimit” të Messit në fundjavë.

Por, trajneri mendon se Messi tha disa gjëra që u keqinterpretuan: “Ishte i mërzitur dhe nuk i jap rëndësi. E rëndësishme është që të mendojmë për Champions-in dhe të kthjellojmë mendjen”.

Kur u pyet nëse e kishte menduar dorëheqjen, Setien tha: “Që kur erdha, kam thënë që do ta shijoj këtë eksperiencë deri në ditën e fundit. E dija që nuk do të ishte e lehtë, por kurrë nuk e kam menduar dorëheqjen”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos