
Nga fillimi i korrikut dhe deri në ditët e sotme, janë konstatuar 324 raste zjarresh në të gjithë territorin e vendit, pothuajse 5-fish më tepër se vitin e kaluar.
Afro 2 mijë hektarë janë shkrumbuar dhe nga këto më tepër se 7500 rrënjë ullinj janë përfshirë nga flakët. Në total u angazhuan mbi 3 mijë efektivë të ushtrisë, zjarrfikësve apo të Emergjencave Civile, ndërsa shefi i këtij shërbimi sqaron shkaqet e këtyre zjarreve.
“Mbetet shqetësim tendenca për zjarrvënie, e cila imponohet në fund të verës apo fillim të vjeshtës nga bujq të ndryshëm, për të djegur hapjen e kullotave apo hapësirave të ndryshme për ndërtim. Por sivjet konstatohen dhe raste të zjarrvënies së qëllimshme për motive të tjera, ndoshta dhe politike”, deklaroi Çako.
Drejtori flet edhe për ndërgjegjësimin e vetë popullatës për dëmet që shkaktohen nga këto zjarre.
“E domosdoshme të rritet dhe ndërgjegjja qytetare. Janë një masiv i madh i djegies së ullinjve që është një pasuri e qytetarëve. Kërkohet një reagim i menjëhershëm ashtu sikurse kërkon dhe një solidaritet në momentin e evidentimit të zjarrit”, shtoi kreu i Emergjencave.
Përgjatë muajit gusht u regjistruan më tepër vatra zjarri në pothuajse të gjithë Shqipërinë, ku djegia e një masivi pishash në Shëngjin ishte rasti më i rëndë, pasi u rrezikuan edhe banesat. (A2 Televizion)