Vrasja e shqiptarit në Greqi, Ministria e Jashtme: Të hetohet sa më parë

Nga A2 CNN
4 Dhjetor 2018, 10:05 | Aktualitet
Vrasja e shqiptarit në Greqi, Ministria e Jashtme: Të hetohet sa

Tirana zyrtare ka reaguar për herë të parë ditën e sotme në lidhje me vrasjen e shtetasit shqiptar Petrit Zifle, 63 vjeç, pak ditë më parë në Korfuz nga një eksponent i Agimit të Artë.

Me anë të zëdhënëses së saj, Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme bën thirrje për hetim të plotë në funksion të zbardhjes tërësore të rrethanave të ngjarjes.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është njoftuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Atikës, mbi vrasjen e shtetasit shqiptar Petrit Zifle, i lindur më 03.07.1955 në Shqipëri, banues në qytetin e Beratit dhe së fundmi me banim në Sparteron Korfuz. MEPJ shpreh keqardhjen për humbjen e jetës së shtetasit Petrit Zifle, përshëndet kapjen e autorit nga policia greke dhe bën thirrje për një hetim të plotë në funksion të zbardhjes tërësore të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në reagimin e parë zyrtar të Shqipërisë në lidhje me vrasjen e shtetasit të saj në Korfuz.

Si ndodhi ngjarja?

Mediat greke kanë raportuar se shtetasi shqiptar Petrit Zifle, 63 vjeç u gjet i pajetë në një kanal nga një shofer kamioni. Viktima ishte shpallur në kërkim nga familja e tij.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 25 nëntor, në Dragotina të Korfuzit. Siç thonë banore të zonës, Zifle ishte konfliktuar me fjalë një ditë para vrasjes në një lokal të fshatit me autorin, për çështje të karakterit etnik.

U zbulua se autori ishte pikërisht 44-vjeçari nga Korfuzi, që rezulton anëtar i Agimit të Artë në Lefkimi, madje dhe përfaqësues i kësaj partie në ditën e zgjedhjeve.

Autori kishte hapur debat me shtetasit jo grekë dhe për çështjen e Maqedonisë në lokal dhe aty kishte ndërhyrë dhe Zifle. Personat e tjerë ne lokal i ndajnë dhe greku largohet duke kërcënuar Ziflen, të cilit në Greqi e quanin edhe Petro. Më pas, ai i bën prite dhe vret shqiptarin, të cilin e hedh më pas ne një kanal, ku u gjet te mërkurën e javës së shkuar.

Rrëfimi i vrasësit të arrestuar

“Ditën e krimit unë u konfliktova me viktimën në lokal. Shkova në shtëpi dhe mora armën e gjahut. Pasi e vrava, e hodha në kanal për të mos u zbuluar”, mësohet të ketë thënë i arrestuari në polici. Emri i tij nuk bëhet i ditur, por thuhet se ka pranuar autorësinë e vrasjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos