Virozat gripale shtojnë numrin e të prekurve dhe radhët për vizita mjekësore. Urgjenca e pediatrisë vijon të përballoje fluksin më të madh të pacientëve me 250 vizita në ditë, ndërsa në fundjavë ngarkesa është edhe më e madhe.
Krejt e kundërta ndodh në urgjencat 24-orëshe të hapura në tre qendra shëndetësore në kryeqytet. Në to jo vetëm që nuk flitet për radhë, por edhe pacientët janë shumë të pakët, 20 vizita në ditë.

“Ata e dinë që ka radhë me orë, ndërkohë që me ne janë më të rezervuar të vinë, edhe pse shërbimet që ofrojmë janë të njëjtat”, thotë Edlira Cenko, pediatre në qendrën nr.10.
Po përse pacientët presin me orë të tëra në radhë në urgjencat spitalore? Disa thonë për mungesë informacioni, ndërsa të tjerë nuk kanë besim tek mjeket e lagjes.
Ndërkohë, mjekët e qendrave shëndetësore informojnë pacientët për regjimin e ri në urgjencat e hapura në Tirane.
“Mundëson shërbime me mjek të specializuar në pediatri, me infermierë, me shërbime si dhënia e injeksioneve, serume dhe aerosol, pra një shërbim gjithëpërfshirës”, vijon Cenko.
Për të ulur ngarkesën e mjekëve në urgjencat spitalore gjatë stinës së gripit, ministria e shëndetësisë hapi dhe tre urgjenca 24 orëshe përkatësisht në poliklinikën nr. 7 në Laprakë, nr. 10 tek Oxhaku dhe në qendrën shëndetësore 8 në zonën e Tiranës së Re. (A2 Televizion)