Holandezi Max Verstappen kishte sot mundësinë me një fitore dhe një kombinim rezultatesh për kundërshtarët që të shpallej sërish kampion bote, për të dytën herë radhazi.
Por ndoshta diçka e tillë do të ndodhë në Japoni, sepse gara e Singaporit pati si fitues shokun e tij Sergio Perez, po në Red Bull, i cili fitoi një duel të gjatë me Ferrarin e Charles Leclerc dhe Carlos Sainz, që e shoqëruan në podium.
Gara u karakterizua nga shiu i rrëmbyer që vonoi fillimin e garës, aq sa mjetet nuk arritën të përmbyllnin të gjithë 61 xhirot brenda kohës.

Kampioni i botës holandez u duk në vështirësi, rrëshqiti deri në vendin e 12-të për t’u rikthyer më pas në xhirot e fundit, duke i rrëmbyer Vettel-it, në sezonin e fundit të tij, vendin e 7-të.
Mc Laren zhvilloi një garë të mirë, ndërkohë që ky mbetet një vit për t’u harruar për Hamilton, por edhe për shokun e tij Russell, jashtë zonës së pikëve. (A2 Televizion)