
Kampionet konfirmojnë se nuk kanë ndërmend të shkurorëzohen. Pasi fituan titullin që në volejboll për femra mungonte prej 36 vjetësh, te Skënderbeu synojnë të përsërisin suksesin.
Ambicia u konfirmua prej startit të edicionit, në duelin me Tiranën që një sezon më parë luajti në finale. Ndeshja u dominua totalisht nga volejbollistet korçare, që i fituan lehtësisht të tre setet.
“Ndeshja u dominua nga fillimi deri në fund. Vajzat luajtën një volejboll të shpejtë, me energji, me kombinime, sidomos pasuesja u dallua me kombinime qendër. Besoj rezultati tregon vet. Atë e kemi pohuar që ne fillim, që ne do bëjmë ç’është e mundur që ta mbajmë titullin e fitojmë çdo aktivitet”, tha Orlando Koja, trajner i Skënderbeut.
E zhgënjyer, trajnerja e vajzave të Tiranës, për problemet e shumta që shfaqi ekipi bardheblu. “Ndeshja në gjykimin tim, kam një mendim të dobët për ekipin tonë, ishte një lojë aspak e mirë. Duhet të pajtohem që nuk kemi forca të ndeshemi me Skënderbeun në atë nivel. Nuk treguan asnjë gjë. Nuk ka forcë goditëse. Nuk lirohet sulmi, humbet besimi te njëra-tjetra. Çorientohen. Nuk bëmë asgjë në bllok”, tha Amarilda Prenga, trajnere e Tiranës.
Hanna Okuhara është blerja e fundit e Skënderbeut, me amerikanen që ishte një nga lojtaret më të mira të ndeshjes.
"Kjo ishte ndeshja ime e parë me Skënderbeun, mendoj që ekipi luajti mirë me pasime dhe në goditje. Vajzat me ndihmuan shumë dhe këtë e vlerësoj. Jam krenare për këtë ekip. Jam e lumtur që erdha këtu në Shqipëri. Unë e dua këtë vend. Të gjithë janë mikpritës dhe të gjithë janë gati të ndihmojnë”, tha Hanna Okuhara, volejbolliste e Skënderbeut. (A2 Televizion)