Franca bëri rezistencë, Nigeri i heq imunitetin ambasadorit

Nga A2 CNN
31 Gusht 2023, 16:29 | Bota
Franca bëri rezistencë, Nigeri i heq imunitetin ambasadorit

Nigeri i ka hequr imunitetin diplomatik ambasadorit francez në Niger Sylvain Itte dhe ka urdhëruar dëbimin e tij.

Kjo mund të lexohet në një letër dërguar nga Ministria e Jashtme nigeriane asaj franceze.

“Në përfundim të afatit 48 orësh duke filluar nga data 28 gusht 2023 i interesuari nuk gëzon më privilegjet dhe imunitetet në lidhje me statusin e tij si anëtar i personelit diplomatik të Ambasadës. Dokumentet diplomatike dhe vizat i të interesuarit dhe familjes së tij anulohen. Policia është urdhëruar për deportimin e tij”, shkruhet në njoftim.

Franca kishte vendosur të mos e tërhiqte ambasadorin nga Nigeri, edhe pse organizatorët e grushtit të shtetit i kishin lënë një afat 48 orë për t’u larguar nga vendi.

Këtë gjë e konfirmoi dhe presidenti Emmanuel Macron gjatë një fjalimi sfidues, i cili tha se ambasadori Sylvain Itte do të vazhdojë të qëndrojë në Niger, madje e duartrokiti vendimin e tij.

“Franca dhe diplomatët e saj janë përballur me situata veçanërisht të vështira në disa vende muajt e fundit, nga Sudani deri në Niger. Unë duartrokas kolegun tuaj Itte për vendim e marrë”, u shpreh Macron në një takim me trupi diplomatik.

Presidenti i Nigerit, Mohamed Bazoum u rrëzua më 26 korrik në një grusht shteti, zhvillim që është dënuar nga Franca dhe shumë nga fqinjët të këtij vendi.

Ambasadori Itte refuzoi të takohej me udhëheqësit e rinj të Nigerit pas grushtit të shtetit, dhe për këtë arsye junta ushtarake kërkoi largimin e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos