Franca dhe Britania kërkojnë që Rouhani të takohet me Trump

Nga A2 CNN
25 Shtator 2019, 09:48 | Bota
Franca dhe Britania kërkojnë që Rouhani të takohet me Trump

Presidenti francez, Emmanuel Macron zhvilloi një takim në Nju Jork me kryeministri britanik, Boris Johnson dhe homologun iranian, Hassan Rouhani, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kreu i Shtetit francez u shpreh se do të ishte një mundësi e humbur nëse presidenti Iranian do të largohet nga Shtetet e Bashkuara pa zhvilluar një takim me Donald Trump.

“Ajo që është e rëndësishme, është se nëse Rouhani largohet nga vendi pa takuar presidentin Trump, nënkupton një mundësi të humbur, sepse ai nuk do të rikthehet këtu për muaj të tjerë dhe kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk ka ndonjë vizitë të planifikuar për të shkuar në Irani. Kështu që duhet të takohen tani”, u shpreh Macron gjatë takimit trepalësh.

Edhe kryeministri britanik, Johnson ishte në të njëjtin mendim me kreun e Elysee, i cili mbështet një takim të mundshëm mes Trump dhe Rouhanit.

“Të dy duhet të qëndrojnë në dy anët e një pishine dhe të kërcejnë në të njëjtën kohë”, shtoi Johnson.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u larguan nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin dhe që nga ajo kohë kanë shtuar presionet ndaj Teheranit zyrtar për të hequr dorë nga programi nuklear dhe i zhvillimit të raketave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos