
Eshtrat e diktatorit spanjoll Francisco Franco duhet të zhvarrosen. Ky është vendimi i Gjykatës së Lartë në Spanjë, e cila mbështeti planin e qeverisë për t’i zhvendosur eshtrat nga një mauzoleum shtetëror në një zonë më pak të kontestuar.
Kërkesa e familjes së ish-udhëheqësit kundër zhvarrosjes u refuzua bashkë me propozimin për një vend alternativ. Luis Felipe Utrera, avokat i familjes, deklaroi: “Sigurisht që do të apelojmë. Kjo çështje do të zgjatet për aq sa ta lejojnë procedurat dhe nëse do të jetë e nevojshme, do t’i drejtohemi edhe Gjykatës së Strasburgut”.
Çështja e zhvendosjes së eshtrave nga ai që kritikohej si i vetmi monument i mbetur në Evropë për një lider fashist ka përçarë opinionin në vend. Spanja vazhdon të përndiqet nga epoka e Francos, i cili fitoi Luftën Civile në vitet ‘30 dhe sundoi Spanjën deri në vitin 1975.
Kryeministri Pedro Sanchez e cilësoi vendimin si një fitore të madhe për demokracinë, ndërsa zëvendësi i tij tha se procedura e zhvarrosjes do të zhvillohej sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk munguan as reagimet e viktimave të regjimit të Francos. Njëri prej tyre, Pablo Mayoral, tha: “Një fashist dhe dictator nazist si Franco nuk mund të prehet në një vend publik. Eshtrat duhet t’i jepen familjes”.
Eshtrat e diktatorit prehen në një mauzoleum të madh të quajtur Lugina e të Rënëve, bashkë me dhjetëra mijëra civilë të vrarë në luftë. (A2 Televizion)