
Punonjësit e transportit në Paris vazhdojnë kundërshtimin e reformës në pensione, ndërsa greva ka hyrë në ditën e 20.
Kjo ka rritur tej mase zemërimin e udhëtarëve dhe pushuesve francezë që përpiqen të arrijnë destinacionet e tyre për celebrimin e Krishtlindjes. Disa operatorë të shërbimit të trenave zbulojnë se kanë marrë mbështetje të madhe financiare që u lejon atyre vazhdimin e grevës.
Jean-Luc Prigent, punonjës transporti, thotë: “U surprizuam nga shuma që arriti rreth 1 milion euro në kaq pak kohë. Kjo tregon se pavarësisht kundërshtive, është një suport mjaft i rëndësishëm”.
Philippe Martinez, kryetar sindikate, thekson: “Greva vazhdon dhe nuk do të ketë armëpushim dhe ne jemi të kënaqur me këtë. Kjo do të thotë se qytetarët nuk janë të lumtur, prandaj dikush duhet të merret me këtë temë dhe jo të pretendohet se gjithçka është mirë në këtë vend”.
Aksioni mbarëkombëtar industrial kundër reformës së presidentit Emmanuel Macron, që heq benefitet speciale për sektorët hekurudhore dhe rrit moshën e daljes në pension në 64 vjeç, ka paralizuar shërbimet e trenave dhe metrove. Duke folur gjatë një vizite jashtë Francës, Macron u bëri thirrje protestuesve që të ndalonin grevën e tyre gjatë festave të fundvitit për të shmangur problemet për personat që udhëtojnë drejt familjarëve të tyre në këtë periudhë të vitit.
Por, kjo thirrje nuk është pranuar, por nxiti dhe më tepër manifestimet. (A2 Televizion)