
Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare në SHBA, John Bolton sulmoi presidentin amerikan Donald Trump pasi dështoi të bindte Korenë e Veriut për të braktisur armët bërthamore.
Në një postim në rrjetin social Twitter, ai thotë se rreziku për forcat amerikane dhe ato aleate është real, dhe se nevojitet një politikë më efikase para se teknologjia e shtetit komunist të kërcënojë kombin amerikan.
”Ideja se ne po ushtrojmë presionin maksimal ndaj Koresë së veriut, fatkeqësisht nuk është e vërtetë”, shkruan Bolton.
Vitin e kaluar ish këshilltari i sigurisë mendonte ndryshe. “Fizikisht ne do të ishim në gjendje të shkatërronim programin e tyre në një vit”, deklaronte ai kur bënte pjesë e stafit të Shtëpisë së Bardhë.
Komentet e Bolton vijnë ndërkohë që Peniani kërcënon Shtetet e Bashkuara me një “dhuratë për Krishtlindje”, siç e quan. Kjo ka nxitur inteligjencën dhe ushtrinë të kërkojnë për sinjale mbi atë që po përgatit Korea. Imazhe të reja tregojnë aktivitete të shtuara në një impiant për prodhimin e raketahedhëseve ndërkontinentale me rreze të gjatë veprimi.
Pikërisht në stacionin e hedhjes se raketave Sohae, po kërkohen shenja për teste të pajisjeve të avancuara apo të ndonjë rakete që mund të kërcënojë SHBA. Ka shqetësime edhe për ndonjë test të nëndheshëm bërthamor.
Ekspertë të çështjes thonë se Kim Jong Un, mund të qëndrojë në pritje të reagimit Trump, ndërsa e konsideron atë si në pozita të brishta politike.
“Ai e sheh Trump si të dobësuar nga impeachment, mendon se Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një krizë politike. Kim Jong Un ka takuar udhëheqësit e lartë ushtarak dhe pritet t’u drejtohet anëtarëve të partisë gjatë një takimi të dielën. Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë edhe atje ndonjë sinjal të mundshëm për atë që mundtë vijë më pas”, gjykon kolonel Cedrik Leighton, analisti ushtarak i CNN. (A2 Televizion)