Francezët me birra buzë Senës, autoritetet shpërndajnë turmën, ndalohen pijet alkoolike

Nga A2 CNN
12 Maj 2020, 14:52 | Bota
Francezët me birra buzë Senës, autoritetet shpërndajnë

Franca ishte mes vendeve me kufizimet më të forta në Europë, në përpjekjen për të ndalur pandeminë e COVID-19.

Por frustrimi i dy muajve të izolimit, ka bërë që francezët të harrojnë skenat e shifrat e tmerrshme që vinin nga spitalet në pikun e krizës shëndetësore.

Menjëherë pas lehtësimit të masave ditën e hënë, qindra parisienë nxituan të shijonin liritë e munguara, duke iu rikthyer të pa shqetësuar traditës së pijeve më miqtë buzë lumit Senë apo në kanalin Saint-Martin.

Autoritetet vendosën të ndalonin konsumin e alkoolit në të dyja këto zona, pasi policia u detyrua të ndërhynte për shpërndarjen e turmës, vetëm pak orë pas zbutjes së kufizimeve.

Imazhe të qytetarëve të grumbulluar buzë lumit pa maska mbrojtëse, qarkulluan shpejt në rrjetet sociale. “Erdha të festoj fundin e kufizimeve. Jetoj shumë afër dhe kisha shumë dëshirë të ulesha buzë lumit. Nuk e kam bërë këtë për dy muaj, kështu isha thjesht duke shijuar një birrë”, thotë një prej tyre.

https://a2news.com/2020/05/02/koronavirusi-franca-zgjat-gjendjen-e-jashtezakonshme/

Me urdhër të Ministrisë së Brendshme, policia e Parisit lëshoi urdhrin e ndalimit të pijeve alkoolike, duke thënë se ndjente keqardhje qe po ndërmerrte një masë të tillë në ditën e parë të rihapjes së vendit.

Ministri i Brendshëm Christophe Castaner kritikoi atë që e quajti sjellje të papërgjegjshme. “Suksesi i rihapjes së jetës sociale dhe ekonomike varet nga durimi dhe përgjegjësia e secilit prej nesh”, ishin fjalët e tij. Autoritetet e kanë ndarë Francën në zona të kuqe dhe të gjelbra, me Parisin dhe disa rajone të tjera të kuqe që po i nënshtrohen një lehtësimi më të kufizuar të masave për frenimin e pandemisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos