
Avokatët e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, kanë dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë.
Beleri kërkon shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, që u la në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Kujtojmë se Beleri u arrestua më 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pas dyshimeve për blerje votash.
Ai akuzohet për "korrupsion pasiv në zgjedhje", kryer në bashkëpunim. Sipas policisë, Beleri dhe Kokaveshi kane premtuar dhe dhënë shuma monetare me qëllim blerjen e votës. Ndërkohë disa nga personat e pyetur nga Policia e Vlorës kanë pranuar se u ishin premtuar lekë në këmbim të votës.
Edhe pse pas hekurave, Fredi arriti që të dilte fitues në garën përballë kandidatit të mazhorancës socialiste Jorgo Goro me një diferencë të vogël votash.
Tashmë në krye të Bashkisë pritet të qëndrojë Jorgo Goro i PS-së, që duket se do të ketë fatin e Voltana Ademit në Shkodër pas zgjedhjeve të vitit 2019.
Ekspertët shpjegojnë se për sa kohë është në qeli Beleri nuk mund të betohet për të marrë detyrën. E pa u betuar as nuk mund të shkarkohet nga detyra.
Sakaq, arrestimi i Belerit ka nxitur edhe përplasje me deklarata të ashpra midis Athinës dhe Tiranës zyrtare. Greqia ka kërkuar lirimin e Belerit, madje duke kërcënuar përmes ministrit të Jashtëm Nikos Dendias dhe kryeministrit Kyriakos Mitsotakis edhe me bllokim të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. (A2 Televizion)