
Kosova po hyn në një kurs përplasjesh dramatike me bashkësinë atlantike. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp, teksa njoftoi edhe anulimin e mbledhjes së përbashkët të qeverive në Gjakovë. Sipas tij presidenti serb dhe kryeministri i Kosovës janë të dy të interesuar për mos krijimin e asociacionit të komunave serbe në veri, pasi mbyll mundësinë për vijimin e luftës. Rama thekson se kjo u duhet të dy liderëve për politikë të brendshme.
“Përpjekja ime për t’u takuar me Kurtin nuk ka filluar sot ka disa ditë, e dyta siç them unë atë që mendoj dhe Albini thotë atë që mendon dhe për mua nuk ka surpriza e gjëra të panjohura se siç më njeh ai, e njoh dhe unë atë. Është i sinqertë në atë që thotë . Ai beson vërtet që thotë diçka të rëndësishme dhe që unë duhet ta marr në konsideratë dhe e fundit zero, sepse ka dy njerëz që janë të painteresuar për asociacionit dhe janë bashkë të interesuar që asociacioni të mos krijohet dhe këta janë kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, sepse për mënyrën sesi e kanë të ndërtuar politikën e brendshme ju duhet armiku i jashtëm. Pse i çon presidenti serb ushtarët në kufi me Kosovën? Mendoni ju që ai mendon se mund të futet një ushtar serb një metër në kufirin e Kosovës? Absolutisht jo as që nuk e imagjinon, por pse i çon? Nuk i çon për të mbrojtur me armë serbët që janë në Kosovë, por për të ndezur shpirtin nacionalist serb në Beograd dhe Serbi. Për çfarë këndojnë ushtarët serbë në kufi: Kosova është e jona. Këndojnë për ata që i dëgjojnë në Serbi, këngë mitingu pa asnjë lloj lidhje. Për çfarë i duhet Kosovës ky konfrontim e me Serbinë. Serbia e ka humbur luftën njeherë e mirë pa kthim, pa apel në 1999 dhe nuk është më kërcënim për Kosovën, jo se është Albin Kurti aty, por sepse aty është Amerika. Është kjo Amerikë, e cila sot është në acarimin maksimal me qeverinë e Kosovës. Përse duhet kjo histori konfrontimi permanente se duhet për politikë të brendshme dhe cila gjë shpërbën figurën e armikut imagjinar në sytë e zgjedhësve të njërit e tjetrit? Asociacioni që mbyll mundësinë për të vazhduar lufta”.
Ai thekson se qëllimi final dhe i përbashkët me Kurtin është njohja e Kosovës nga të gjitha shtetet dhe kërkimi i faljes nga Serbia për krimet në Kosovë, por në ndryshim nga Kurti, ai thotë se kjo vjen në fund jo në fillim.
“Është shumë e qartë prandaj unë jo vetëm që nuk prekem, por më vjen mirë dhe është pjesë e marrëdhënies së shëndetshme që kam Kurtin, se themi atë që mendojmë edhe kur jemi apo nuk jemi dakord. Qëllimi ne kemi një; njohja e plotë përfundimtare e Kosovës edhe nga Serbia dhe kërkimi i faljes që Serbia duhet t’i bëjë Kosovës për krimet në Kosovë, ndryshimi është që Albini i do në fillim, por këto vijnë në fund”.
Sa u takon sanksioneve të ndërkombëtarëve ndaj Kosovës Rama shprehet se do të kenë efekt destabilizues dhe besimi e mbështetja nuk do të jetë më si më parë.
“Nuk më takon mua të bëj asnjë komnet nga këto (sanksionet). Jam i tmerruar nga ideja që këto mund të ndodhin se këto nuk janë masa që kjo bashkësi merr ndaj vendeve jo dashamirëse ndaj saj. Kjo bashkësi po detyrohet t’i marrë ndaj një shteti që ka krijuar vetë. Edhe sikur këto masa të jenë të përkohshme. Uroj që të mos vihen por mesa duket edhe kjo përpjekje e fundit po shkon drejte të njëjtit fat. Edhe sikur të jenë të përkohshme, efekti destabilizues mes bashkësisë Atlantike dhe Kosovës nuk do të jetë aq i përkohshëm. Besimi dhe mbështetja nuk do të jenë siç kanë qenë deri tani, por shumë të kursyera e kushtëzuara hap pas hapi edhe ndaj qeverive që do të vijnë më pas se kështu funksionon historia e marrëdhënieve me fuqitë e mëdha”. (A2 Televizion)