
Policia franceze largoi qindra emigrantë nga një kamp në veri të Parisit, mëngjesin e së mërkurës, në një lëvizje që shkon në linjë me masat e qeverisë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit te të pastrehët përreth kryeqytetit.
Emigrantët u transportuan me disa autobusë në orët e para të mëngjesit dhe sipas autoriteteve ata do të qëndrojnë në palestra dhe hotele në Paris dhe rrethina.
Prefekti i Parisit, Michel Cadot e paralajmëroi këtë evakuim një javë më parë duke thënë se janë marrë të gjitha masat për strehimin e emigrantëve.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Christophe Castaner bëri me dije se operacioni kishte si qëllim të mbronte shëndetin e njerëzve në nevojë dhe të shmangte grumbullimet e mëdha. (A2 Televizion)