Një makinë është përplasur në portat e Downing Street në Londër. Lajmi është bërë i ditur nga Sky News, sipas të cilit, një person është arrestuar. Nuk duket se ka të lënduar. Trafiku është bllokuar dhe zona përreth e Whitehall, ku ndodhen zyrat e qeverisë, është rrethuar nga efektivët.
Kryeministri Rishi Sunak ishte në Downing Street në momentin e përplasjes, u largua pas incidentit. Kancelari Jeremy Hunt ishte gjithashtu në Downing Street në atë kohë
Një kalimtar ka filmuar skenën me telefonin e tij. Në videon e tij, e cila është publikuar, shohim makinën, me ngjyrë të argjendtë, që përfundon përballë portës, ndërsa ecën me shpejtësi të ulët dhe hapet bagazhi. Oficerët e armatosur që ruanin hyrjen e rezidencës së kryeministrit britanik arrestuan drejtuesin e makinës.
Sipas Scotland Yard, ai u arrestua me akuzën e dëmtimit të rëndë me dashje dhe drejtimit të rrezikshëm. Nuk dihet nëse ky ishte një veprim i qëllimshëm. Policia tha se po punon për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.
Pak ditë më parë, policia amerikane ndaloi shoferin e një kamioni, i cili u përplas të hënën në mbrëmje me barrierat e sigurisë në Sheshin Lafayette ngjitur me territorin e Shtëpisë së Bardhë. Sipas dokumenteve të gjykatës, ai lavdëroi Adolf Hitlerin para hetuesve, pas arrestimit të tij, dhe tha se ai synonte të “vriste Presidentin Biden”. (A2 Televizion)










