
Vatra të rrezikshme zjarri janë rishfaqur në gadishullin jugor të Peloponezit në Greqi, pranë Olimpias antike, duke nxitur shqetësimet lidhur me sigurinë e zonës arkeologjike, e cila është vendlindja e Lojërave Olimpike.
Qindra zjarrfikës, përfshirë ata të ardhur nga vendet e BE-së, dhe pajisje për shuarjen e flakëve, janë pozicionuar në zonë
“Vendi është në periudhë shumë të vështirë. Një pjesë e madhe e territorit është mes flakëve. Zonat rezidenciale janë nën kërcënim e po ashtu sitet e trashëgimisë kulturore. Një prej tyre është zona antike arkeologjike. Nje operacion i ngjashëm po zhvillohet edhe në zonën e afër të Gortynia, ku zjarri kërcënoi të përpinte banesat gjatë natës. Për siguri, autoritetet urdhëruan evakuimin e 21 komuniteteve”, u shpreh Giorgos Georgiopoulos, kryebashkiaku Olimpias.
Sakaq, në ishullin e Evias, ku prej ditësh zhvillohet beteja më e fortë me flakët, vatrat duket se janë reduktar. Për herë të parë që prej shpërthimit të flakëve, gati 800 zjarrfikëse stacionuar atje, po punojnë pa u penguar nga tymi i dendur. Zjarri në ishullin e dytë me të madh në Greqi, detyroi evakuimin e mijëra vendasve e turistëve.
Flakët vazhdojnë të mundojnë edhe Italinë, ku zjarrëfikësit u përpoqën të shuajnë vatrat në rajonin e Kalabrisë dhe ishullin e Siçilisë. Mëngjesin e së mërkurës, brigada e zjarrfiksësëve tha se kishte kryer më shumë se 300 ndërhyrje përgjatë 12 orëve të fundit në dy rajonet, ku temperaturat e larta dhe erërat e forta po ushqejnë flakët. Në qytezën e Petralia Soprana pranë, kryqytetit të Siçilisë, Palermo, zjarrët në pyje kanë qenë aktive prej ditësh. (A2 Televizion)