
Spontane, e pa diskutuar me grupet e interesit dhe e prezantuar në mesin e një fushate elektorale. Kështu e përshkroi ish-ministri i Financave Arben Malaj reformën për rishikimin e pagave të prezantuar së fundmi nga qeveria Rama.
I ftuar në “Debat”, Malaj u shpreh se rritja e pagave është e domosdoshme dhe e dobishme, por ngriti pikëpyetje sa i përket mënyrës sesi po realizohet kjo reformë siç e ka cilësuar kryeministri Rama.
Ish-ministri ngre disa pyetje: A është reformë apo ngritje pagash? Rritja ka burime te qëndrueshme apo janë burime nga të ardhurat shtesë që vijnë nga inflacioni?
Po ashtu, Malaj solli në vëmendje se kjo lëvizje nuk është diskutuar më parë me grupet e interesit dhe se nuk ka një faturë përmbledhëse sasa miliardë lekë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit kjo rritje.
I pyetur nëse kjo rritje e pagave lidhet me zgjedhjet e 14 majit, apo bëhet fjalë për synimet e qeverisë për zgjedhjet e vitit 2025, ish-ministri kujtoi se vendi ka një strategji të buxhetit deri në 2030.
Megjithatë, ai kujtoi se në nëntor kur u rishikua në nëntor buxheti nuk u përfshi rritja e pagave.
“Nuk ka mundësi që të vijë kaq spontane,” shtoi ai.
Ajo që duhet pasur parasysh në tërësi në lidhje me këtë reformë të pagave, sipas Arben Malajt është gradualiteti dhe burimet e mbështetjes.
“Nëse ka mbetur diçka nga 2022 janë investimet e parealizuara. Të mbështesësh rritjen e pagave me shkurtimin e investimeve apo nga investime të parealizuara. Nuk është politikë avantazhuese.” (A2 Televizion)