Dy gola në kohën shtesë nga Joe Bryan i dhanë klubit londinez Fulham fitoren 2-1 kundër Brentford, dhe një vend në Premier League për sezonin e ardhshëm. Ndeshja u etiketua si më e vlefshmja në botë nga ana financiare.
Sipas një analize të “Deloitte”, ngjitja në kategorinë e parë të futbollit anglez do të dërgojë në arkat e Fulham 176 milionë dollarë në 3 sezonet e ardhshme. E nëse klubi shmang rënien nga kategoria sezonin e ardhshëm, do të sigurojë edhe 346 milionë dollarë të tjerë përgjatë pesë viteve të ardhshme, kryesisht nga të drejtat televizive.
“Për shkak të pandemisë së koronavirusit, kualifikimi për në Premier League do të ketë një impakt edhe më të ndjeshëm në financat e klubit. Të ardhurat shtesë do t’i sigurojnë klubit mundësinë për t’u zhvilluar, brenda dhe jashtë fushës”, tha për CNN Tim Bridge, drejtor i “Deloitte's Sports Business Group”.
Fulham ra nga kategoria në vitin 2019. Klubi londinez është në pronësi të biznesmenit Shahid Khan, i cili gjithashtu zotëron edhe klubin e futbollit amerikan, Jacksonville Jaguars. (A2 Televizion)