Kërkohen 115 ndryshime, Berisha: BE me dokument të paprecedent, ''padrino'' përgjegjës

Nga Anesti Barjamemaj
5 Nëntor 2026, 15:51 | Politikë

“Edi Rama është pengesa e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, ky është leximi që Sali Berisha i bën raportit vjetor të Brukselit për Shqipërinë.

Berisha: “Nga alfa te omega, Padrinoja i Shqipërisë rezulton përgjegjësi kryesor për të gjitha konstatimet e rënda të Komisionit Evropian për Shqipërinë këtë vit. Ky është një raport i paprecedent në historinë e raporteve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian”.

Nga miratimi i njëanshëm i reformës territoriale deri te moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, lideri demokrat tha se këto janë pengesat që mazhoranca i vë rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së.

“Dështimi i vazhdueshëm i parlamentit për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. O të dashur qytetarë, rrugën drejt BE-së ua bllokojnë Oltat e Ramës. E kuptoni apo jo?”

Kreu i opozitës foli për 115 kushte që, sipas tij, Brukseli i ka vendosur Shqipërisë në procesin e afrimit me familjen evropiane.

 “Shqiptarët duhet ta dinë se Komisioni Evropian i kërkon Shqipërisë 115 ndryshime për vitin e ardhshëm”.

Duke cituar pjesë të ndryshme nga raporti vjetor, Berisha pohoi se Komisioni Evropian kërkon një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, ndërkohë që, për reformën territoriale, mazhoranca ndoqi njëanshmërisht projektin që shkriu 15 bashki. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos