Monika Kryemadhi tha se Kryeministri Edi Rama duhet të thërritet si dëshmitar në gjyqin që po zhvillohet kundër saj dhe ish-Presidentit Ilir Meta.
“Sigurisht që kërkova atë që është kërkuar dhe që ka dalë edhe në vendimin e gjykatës së shkallës së parë, pra në vendimin e parë të seancës paraprake, për thirrjen e dëshmitarëve të cilët janë pjesë e çështjes për të cilën pretendohet nga organi i akuzës. Por, nga ana tjetër, është edhe thirrja e Edi Ramës dhe e të gjithë përfaqësuesve të Ministrisë së Inovacionit që kanë qenë atëherë, zonjës Milena Harito, e cila është pjesë dhe është thirrur nga SPAK-u. Por edhe ajo thotë të vërtetën, sepse janë shkresat me vulë dhe me firmë”, tha Kryemadhi pasi doli nga gjykata.
“Ndërkohë, kërkohet edhe, për ligjin e minierave, thirrja e Eduard Shalsit, i cili ka qenë kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese për amendamentin 19 të famshëm për servitutet vertikale; thirrja e Namik Koplikut, i cili ka qenë relatori i ligjit; thirrja e Esmeralda Shkjaut, që ka qenë propozuesja e amendamentit dhe organi i akuzës ma atribuojnë mua si propozim”, shtoi ajo. (A2 Televizion)