“Ai u vra”, 10 vjet nga vdekja e Astrit Deharit familja kërkon drejtësi

Nga Erjon Dervishi
5 Nëntor 2026, 15:27 | Kronikë

Më 5 nëntor të vitit 2016, Astrit Dehari u gjet pa shenja jete në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej nën dyshimin për përfshirje në sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës. Në dhjetëvjetorin e vdekjes së tij, aktivitetet përkujtimore nisën me homazhe te varri i Astrit Deharit në fshatin Zllatar, më pas prindërit e tij u ndalën para Prokurorisë Speciale.

Rrethanat e vdekjes mbeten të paqarta, ndërsa familja Dehari vazhdon të kërkojë zbardhjen e rastit dhe drejtësi, shkruan A2.

“Që në fillim ka pasur manipulime të shumta rreth vdekjes së Astritit. Prokurori në atë kohë, i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha bënte përpjekje me urdhër të pushtetit të atëherëshëm që brenda 13 dite ta paraqiste këtë vdekje si vetëvrasje... Katër prokurorë që nga fillimi deri në vitin 2025 e kanë zvarritur këtë lëndë derisa kanë dalur në pension”, tha Avni Dehari, babai i Astrit Deharit.

Nëna e Astritit, Xhemile Dehari, tha se për familjen është bërë e rëndë pritja tashmë dhjetëvjeçare, ndërsa ende nuk ka një vendim nga Prokuroria: “Prokuroria nuk ka marrë vendim asnjëherë, qe dhjetë vite. E kemi vështirë si familje, nuk jemi duke pritë kumedit se sa prej prokurorisë se nuk po marrin kurrëfarë vendimi. Secili prokuror që po vjen po ja fillon nga fillimi. Po shpresoj që ky prokuror që e ka marrë tash, është i ri e ndoshta po na kryen pa u pensionu. Bile një epilog ta dijmë edhe ne”.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, tha se provat që posedon familja, sipas tij, dëshmojnë se ish-aktivisti i Vetëvendosjes është vrarë: “Secili që ka pasur mundësi që t’i shohë vetëm disa prej fotografive, të cilat e tregojnë trupin e Astrit Deharit një miliardë për qind jemi të bindur që trupi i Astrit Deharit është prova kryesore me të cilën vërtetohet se Astriti është vrarë. Ne kemi dokumentacione të IML në Zvicër të cilët edhe aspektin teorik të vetëvrasjes e eleminojnë”.

Edhe kryeministri Albin Kurti ndau të njëjtin qëndrim me familjen Dehari dhe avokatin e saj, duke theksuar se për vdekjen e Astritit ende askush nuk është vënë para drejtësisë: “Qysh në orët e para pas mbytjes së tij, të shtunën e 5 nëntorit 2016, u patën nxituar institucionet përgjegjëse të sigurisë e të drejtësisë asaj kohe që të japin konstatime para hetimeve. Kjo e rëndoi shumë situatën, dhe kjo situatë e rënduar vazhdon edhe sot e kësaj dite, përderisa askush nuk është akuzuar, nuk është arrestuar, e nuk është gjykuar e dënuar për mbytjen e Astritit”.

Aktivitetet përkujtimore në dhjetëvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit vazhdojnë edhe gjatë pjesës tjetër të ditës, me ekspozitë kushtuar veprimtarisë së tij, Akademi Përkujtimore, ndezje të qirinjve dhe një mbrëmje me kujtime nga shokët dhe shoqet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos