
Afro 20 përqind e popullsisë në Shqipëri është vaksinuar kundër koronavirusit. Deri tani mbi 200 mijë persona kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-Covid. Përgjegjësja e programit të vaksinimit Erida Nelaj thotë se vaksinimi masiv vijon në moshat mbi 60 vjeç, ndërsa është ulur fasha për kategori që kanë sëmundje specifike.
“Në vaksinim masiv ne mbetemi në moshat mbi 60 vjeç, por është ulur fasha kryesisht te vaksinimet me Pfizer. Po vaksinojmë të sëmurë me dializë, persona që kane kryer ndërhyrje, transplante apo që kanë probleme me imunitetin".
Edhe pse vaksinimi ndihmon në imunizimin e popullsisë kundër koronavirusit, nuk kanë munguar rastet e infektimit nga Covid-19 pas vaksinës. Sipas Erida Nelajt kjo ka ardhur nga shkujdesja dhe shkelja e masave, por thekson se te këta persona, të paktë në numër, sëmundja ka kaluar pa komplikacione.
"Kemi raste të infektuar pas vaksinës, por deri tani nuk kanë patur komplikacione të rënda dhe as shtrime në spital. Duhet të presim të paktën dy javë pas dozës së dytë për krijimin e anti-trupave. Nuk është fikse, persona të ndryshëm, reagojnë në mënyra të ndryshme".
Për ata persona që niveli i antitrupave pas vaksinës u ka rezultuar i ulët ose zero, specialistët thonë se nuk duhet të shqetësohen. Në të gjitha rastet trupi krijon mbrojtje ndaj koronavirusit.
"Ka patur raste që kanë dale me zero anti-trupa edhe pasi kane kaluar Covid-19. Nuk duhet të shqetësohemi është në rastin me vaksinën. Organizmi është vënë në lëvizje për të krijuar një lloj barriere mbrojtëse".
Nga fillimi i fushatës masive të imunizimit janë kryer mbi 650 mijë vaksinime. Autoritetet synojnë që brenda qershorit numri i te vaksinuarve të shkoje në 1 milion. (A2 Televizion)