Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka paralajmëruar se opozita mund të ndërmarrë skenarë të tjerë, në rast se në Parlament gjatë këtyre 4 viteve nuk do të funksionojë ligji.
Komentet Mziu i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se opozita shqiptare do të veprojë si opozita në disa vende të tjerë, ku nuk vepron ligji siç duhet në Kuvend.
Teksa e cilësoi mazhorancën e kryeministrit Edi Rama të kriminalizuar, Mziu tha gjithashtu se Partia Demokratike ka që nga vitet 1990 që kryen zgjedhje të paktën çdo katër vite.
“Edhe unë jam një humbës në raport me 4 vite më parë. Do bëhen zgjedhje. Unë do t’i përcaktoj tani kush do të jenë kandidaturat? Unë po të them se PD që nga viti 90 e deri më sot në çdo 4 vite minimalisht ka bërë dhe do të bëjë zgjedhje.
Nëse nuk funksionon ligji do të përdorim instrumenta të tjerë ndaj kësaj mazhorance të kriminalizuar. Do të na detyrojë të dalim jashtë vetëvetes, si në parlamentet e tjera që nuk funksionon ligji”, tha mes të tjerash Mziu. (A2 Televizion)