
Studiuesi Afrim Krasniqi, në një lidhje direkte me studion e “Debat” nga Alba Alishani, komentoi ndarjen e fondeve për partitë politike, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit.
“Ne jemi nga ato vende që i financojmë shumë më tepër sesa duhet partitë politike. Fondi i dhënë është fond ekstra, pasi partitë marrin fond vjetor dhe fond elektoral. Pra, marrin dy fonde për vitin kalendarik, që do të thotë se është e mjaftueshme”, tha Krasniqi.
“Problemi është tjetër: krahas financimit me fonde, ne u japim seli falas, privilegje të tjera dhe nuk i kontrollojmë në shpenzimet e tyre. Kështu që nuk është për t’i qarë hallin se partitë nuk kanë para për të bërë fushatë”, shtoi studiuesi Afrim Krasniqi. (A2 Televizion)