Një fushatë e varfër nga pikëpamja e mesazheve, ka qenë fushata zgjedhore sipas këndvështrimit të analistit Gjergji Vurmo. Në studion e “Absolut 4” ai thotë se kjo fushatë nuk solli asgjë të re dhe nga pikëpamja e sjelljes së aktorëve politikë mund të zhgënjehen baza dhe militantët, apo ata që do të dalin në votime.
“Nuk pritet ndonjë mesazh përmbajtësor apo problematik, asgjë e re edhe në këtë kuptim mbase edhe influencuar nga situata e kovidit dhe kulmon në fund me një miting të madh dhe me mesazhe dhe elementë të show-t nuk i vura re në atë dritë që janë shfaqur në fushata të tjera. Nga pikëpamja e mesazheve druaj se ka qenë një fushatë e varfër, nga pikëpamja e sjelljes së aktorëve politikë, të cilët operojnë në një kontekst social e shoqëror dhe nëse ne vërejmë sjellje të caktuara të liderëve apo eksponentëve partiakë duhet të nënvizojmë faktin që baza dhe militantët, apo ata që do të dalin në votime mund të zhgënjehen”.
Vurmo thekson se edhe votuesit duhet t’u kërkojnë më shumë llogari partive politike.
“Por pyetja është sa kemi ndryshuar edhe ne si votues? Sa e kemi rritur piacën e kërkesës ndaj partive politike, por shumë pak kemi dëshmuar sesa do realizohen ato. Edhe ne kemi patur mundësi të kërkonim më shumë llogari dhe ky është një tjetër element i kësaj fushate”.
Sipas Vurmos opozita ishte më e hapur të përballej me opinionin e pavarur, kurse përfaqësuesit e mazhorancës kanë shmangur përballjen me kundërshtarin dhe studiues, ekspertë e analistë që influencojnë opinionin. (A2 Televizion)