
Kërkesat e tregut të punës po diktojnë edhe regjistrimet në universitete. Fluksi i punës në sekretaritë e shkollave të larta tregon se si janë orientuar të rinjtë këtë vit akademik. Degët e Informatikës, infermieritë, Mjekësia, Farmacia e Stomatologjia janë programet që kanë plotësuar afro 80% të kuotave që në tri ditët e para të regjistrimit.
Por krejt ndryshe ndodh në fakultetet e mësuesisë në kryeqytet aty ku të regjistruarit deri tani numërohen me gishtat e dorës. Vetëm dy studentë janë regjistruar për degën e Fizikës, po kaq në Matematikë e diçka më tepër në Biologji e Kimi.
Dhe studentin e vetëm që gjetëm në sekretarinë e Fakultetit të Shkencave të Natyrës ishte për Informatikë, e vetmja degë që nuk mbeten kuota bosh. Edhe fakulteti Histori-Filologji nuk ka kërkesat dhe interesin e shumë viteve më parë. Dekani Sabri Laci tregon se në ditët e para janë regjistruar ata të rinj që kanë talent për programet e Historisë dhe Filologjisë.
Pas pandemisë, periudha që shënoi rënie të cilësisë së nxënësve dhe studentëve, drejtuesit e shkollave të larta presin që ky brez të jetë më i mirë. Ndërsa mbështetja e degëve prioritare me burse ende duket e paqartë për disa programe studimi.
Rundi i parë i regjistrimeve në universitete do të vijojë deri më 11 shtator. Pas kësaj date nisin fazat e tjera për plotësimin e kuotave të mbetura bosh. (A2 Televizion)