
Universitetet kanë hapur dyert për të pritur studentët e rinj. Në ditën e parë të regjistrimeve të shumtë ishin të rinjtë që ju drejtuan shkollave të larta pa asnjë mëdyshje për degën e zgjedhur mes shumë të tjerave të fituara.
Edhe fituesit e Mjekësisë së Përgjithshme nuk kanë vonuar të zyrtarizohen si studentët më të rinj të fakultetit. Të njohur më herët më kushtet për ta si mjekë të ardhshëm, krahas regjistrimit kanë firmosur edhe dokumentin që pranojnë kriteret e reja të degës së Mjekësisë.
Në ditën e parë të regjistrimeve ministrja e arsimit Evis Kushi është takuar më një grup të rinjsh, fitues në degën e Mjekësisë. Ata kanë shprehur opinionet e tyre për konkursin elektronik por edhe ligjin që i detyron të qëndrojnë 5 vjet pas studimeve në Shqipëri.
Ndërsa ministrja ka sqaruar se brenda 5-vjecarit të qëndrimit në atdhe përfshihet edhe vitet e shkollës së specializimit. 14 ditë do të zgjasë raundi i parë i regjistrimeve në universitetet publike dhe private.
Me lëvizjen e listës se fituesve dhe vijës së kuqe në çdo program studimi, pas 11 shtatorit do të nisë raundi i dytë i regjistrimeve për plotësimin e kuotave bosh. Ky proces do të zgjasë deri më 1 tetor.
Por nëse në degë të caktuara mbetën sërish kuota bosh, kandidatët që nuk kanë arritur të hyjnë në shkollë të lartë, mund t’i drejtohen direkt fakultetit përkatës për t`u regjistruar, pavarësisht aplikimeve që mund të ketë bërë më herët maturanti në portal.
Referuar viteve të kaluara rreth 80% e kuotave në univeristete plotësohen që në raundin e parë të regjistrimeve. (A2 Televizion)