
Në 10 ditët e fundit të fushatës për kryetar të Partisë Demokratike kandidatët kanë vijuar takimet me demokratët e qyteteve të ndryshme të vendit.
Njësia numër 11 në kryeqytet ishte ndalesa e radhës e Lulzim Bashës për t’i kërkuar demokratëve votën për rikonfirmim në drejtimin e PD. Dy ishin angazhimet e tij para anëtarësisë së PD-së.
“Rezultati i 25 prillit, tjetërsimi i vullnetit të zgjedhësve shqiptarë nuk do të njihet dhe nuk do të pranohet. Nuk ka bashkëpunim me regjimin e Edi Ramës, Tom Doshit me shokë, por ka atë që bën çdo qytetar me dinjitet në Europë, çdo familje politike me dinjitet ka përballje me anti-vlerat, ka betejë me regjimin deri në rrëzimin e regjimit”.
Kandidatja tjetër Edith Harxhi ishte me demokratët e Përmetit, ku zbuloi edhe ofertat politike që ka refuzuar.
“Unë synoj vetëm bashkimin jo përçarje të Partisë Demokratike, mund të kisha pasur mundësi më të mëdha nëse do të kisha pranuar ftesën e miqve të mi që krijuan parti të vogla që dolën nga partia jonë, por përgjigjja ime ishte jo”.
Nga takimi me demokratët e Sarandës kandidati Fatbardh Kadilli nuk u tregua i shqetësuar nga mungesa e listave të anëtarësisë, ndonëse pohoi se gara ne PD është e pabarabartë.
“Nuk kisha për t’i kërkuar listat asnjëherë se nuk besoj se zgjedhjet do mi vjedhin, që janë të pabarabarta kjo është e dukshme, nuk kam për t’u ankuar as në atë komision, sepse besoj se zgjedhjet fitohen me frymën që krijon dhe po ja dola në këtë kohë të shkurtër të sjell frymën time nuk ka procedurë që më ndalon”.
Ndërsa kandidati Agron Shehaj takoi demokratët e Kuçovës të cilëve u premtoi se zëri i tyre do të dëgjohet, nëse do t’i besohet drejtimi i Partisë Demokratike. (A2 Televizion)