
Në takimin me demokratët e Kurbinit, Ibsen Elezi, që garon përballë Sali Berishës për kryetar të PD-së, e ftoi rivalin të debatojnë bashkërisht para anëtarëve dhe strukturave të partisë. Ai vuri theksin te mungesa e konkurrencës së brendshme në PD, nga e cila tha se kanë vuajtur edhe ata që kanë pasur mbështetje nga baza.
“Kjo është konkurrencë pa norma. Ka 30 vjet që nuk shkruhet një statut. Një përfaqësuesi politik i një zone që merr rezultat pozitiv nuk mund të ketë shans t’i thotë dikush do shkosh apo nuk do shkosh për të kandiduar më lart. Ky është rregull që nuk mund të preket. Listat e Këshillit Kombëtar nuk di njeri se ku fillojnë dhe mbarojnë, 24 orë përpara i lexon dikush, këtë e bënte shoku Enver dikur”.
Duke iu referuar ish-kryeministrit, Elezi shtoi se “unë vërtetë mund të jem peshë e lehtë për ty në këtë ring, por je ti që ke pranuar me dal me mu dhe unë me ty. E ke përsërit për 7 muaj, primaret, primaret, primaret... Unë të kam thënë ta lemë Amerikën dhe ta bëjmë shqiptarçe, ulemi dhe bëjmë debat para njerëzve dhe votohemi”. (A2 Televizion)