Paralelet e Putinit mes Donbasit dhe Kosovës, ambasadori ukrainas: Synon të destabilizojë Ballkanin

Nga A2 CNN
13 Maj 2022, 21:25 | Politikë
Paralelet e Putinit mes Donbasit dhe Kosovës, ambasadori ukrainas: Synon

Në “Intervistë me Merita Haklaj” në A2 CNN, ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shukrov, u pyet ndër të tjera edhe për krahasimin që Vladimir Putin i ka bërë rajonit të Donbasit me Kosovën.

Shukrov theksoi se ky është një krahasim i pavend nga ana e kreut të Kremlinit që synon të manipulojë opinionin dhe destabilizmin e Ballkanit Perëndimor.

Pjesë nga intervista

Merita Haklaj: Lufta në Ukrainë e detyroi Europën dhe botën në përgjithësi të rikonceptojë sigurinë, ndërsa mundësia e një lufte më të gjerë nuk është tanimë aq e largët. Më të brishtë ndihen shtetet jashtë NATO-s, ato në kufi me Ukrainën dhe Rusinë, por edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ku plagët e luftës së viteve 90-të nuk janë shëruar ende. Sa të rrezikuar e shihni rajonin, dhe cila do duhet të ishte qasja e shteteve të Ballkanit Perëndimor për të mbrojtur veten në këtë moment? 

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov: Këtu dua të jap një shembull të një takimi të fundit, në maj, të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku kontradiktat mes Serbisë dhe Kosovës ishin të dukshme. Këto kundërshtime u pasqyruan edhe në deklaratat përkatëse të palëve. Por nga ana tjetër, pak kohë më parë, kemi pasur edhe qëndrimin e kryeministrit hungarez Orban, i cili tha se gazi natyror i lëngshëm duhet të sigurohet nga vendet fqinje që kanë det dhe liqene, duke aluduar këtu për marrëveshjen, sipas së cilës, Hungaria ka humbur territorin e vet nga njëra anë dhe nga ana tjetër edhe duke treguar se këtë territor e kanë fituar Kroacia dhe Sllovenia. Dua të them se rajoni i Ballkanit Perëndimor është gati për të shpërthyer në çdo moment dhe shpresoj shumë se forcat e NATO-s, SHBA dhe BE, por edhe logjika e mirë e lidershipit të Ballkanit Perëndimor do të jenë garanci për stabilitet në këtë rajon.

https://a2news.com/2022/05/13/ambasadori-i-ukraines-ne-a2-cnn-kievi-po-ndryshon-konceptin-e-luftes-te-vendosur-per-fitore/

Merita Haklaj: Presidenti Putin e përmend vazhdimisht rastin e Kosovës për të legjitimuar operacionin në Ukrainë dhe kryesisht të drejtën e rajonit lindor të Donbas për të qenë i pavarur. E bëri fillimisht kur aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe tani me Donbasin. Si duhen lexuar komentet e Putinit, pse ky krahasim me Kosovën, sovraniteti i të cilës njihet nga më shumë se 100 shtete dhe gjykata ndërkombëtare e drejtësisë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar?

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov: Mendoj se nuk ka një paralele të drejtpërdrejtë mes situatës në Kosovë dhe asaj në Donbas. Ka vend për manipulime dhe dëshira të palës ruse për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, këtë rajon kaq të ndjeshëm për sa i përket sigurisë. Mendoj se aktualisht situata me Kosovën është në kuadër të zgjidhjes diplomatike, pasi përpjekjet e BE-së dhe Amerikës, që janë bërë në këtë drejtim për sa i përket mbështetjes së Kosovës, kanë efekt të fuqishëm. Unë shpresoj dhe mendoj se këtu po flasim thjesht për një lloj manipulimi nga ana e federatës ruse.

Merita Haklaj: Megjithatë, Ukraina është një ndër vendet që nuk e njeh Kosovën. A besoni se edhe pas kësaj situate dhe pas solidarizimit të treguar nga populli shqiptar, shqiptarët kudo që janë me Ukrainën, nisur edhe nga fakti që në Kosovë është provuar nga Gjykata Ndërkombëtare se kishte gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. A janë gjasat që, Ukraina pra, të vijë një ditë që ta njohë shtetin e Kosovës?

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov: Kjo është një pyetje shumë e vështirë dhe unë dua të them diçka. Ne e dimë dhe e vlerësojmë ndihmën dhe mbështetjen që ofroi Kosova për popullin e Ukrainës. Ne e dimë dhe jemi shumë mirënjohës për ndihmën humanitare. Ne i dimë dhe lëvizjet sa i përket anulimit të regjimit të vizave për shtetasit Ukrainës, për gatishmërinë për të pranuar në Kosovë ukrainasit që po largohen nga lufta. Për sa i përket njohjes së Kosovës, dua të them: na lejoni ne, Ukrainës të dalim nga zjarri i luftës dhe pastaj të flasim për çështje të tjera politike. Ju e dini se lufta po vazhdon, çdo ditë po vdesin ushtarë, civilë, fëmijë e nëna, njerëz të moshuar. Ndaj, Ukraina sot është e përqendruar vetëm te dalja me fitore nga zjarri i luftës. Pyetjet për çështjet politike, pak më vonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos