Garanci nga dy shtete të fuqishme, Thaçi kërkon lirimin me kusht nga paraburgimi në Hagë

Nga A2 CNN
23 Korrik 2021, 14:25 | Kosova
Garanci nga dy shtete të fuqishme, Thaçi kërkon lirimin me

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkon zyrtarisht lirimin nga paraburgimi në Hagë. Avokati i tij, Gregory Keohe, dërgoi në Gjykatën Speciale, parashtresat e nevojshme. Në to, përveç kundërargumentimit të fakteve të paraqitura nga Prokuroria, jep detaje edhe për ofrimin e garancive për lirimin e Thaçit nga paraburgimi.

“Më e rëndësishmja, që nga Vendimi i Parë, mbrojtja për Z. Thaçi tani ka marrë garanci me shkrim nga dy shtete, (“Shtetet e Treta”), njëri prej të cilëve është një shtet kontribues, për të lehtësuar lirimin e z. Thaçi në territoret e tyre përkatëse”.

Parashtresa e avokatit të Thaçit

Megjithatë nuk dihet me saktësi se cili shtet ka hyrë garantor për t’i mundësuar ish-presidentit të Kosovës lirimin nga paraburgimi dhe mbajtjen në arrest shtëpiak. Më herët u përfol që një prej tyre të ishte dhe Sllovenia, të paktën nga sa kanë raportuar mediat e këtij shteti.

Por ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar. Avokati i Thaçit kritikon dhe trupën gjykuese të Gjykatës Speciale duke theksuar se gabimi në llogaritje për mbajtjen e Gjyqit, ka dëmtuar rëndë imazhin e ish presidentit, i cili ka mbi 8 muaj në paraburgim.

“Gjatë kësaj periudhe tetë mujore, fusha e mbështetjes politike për z. Thaçi dhe ndikimi i tij në Kosovë janë avulluar kryesisht, me zgjedhjet e shkurtit 2021 që e vendosin ish-presidentin në pozicionin më të dobët të karrierës së tij politike”.

Parashtresa e avokatit të Thaçit

Thaçi dha dorëheqjen më 5 nëntor të vitit 2020 nga posti i presidentit për t’u përballur me akuzat në Hagë për krime lufte dhe kundër njerëzimit. Gjyqi kundër tij parashikohej të niste verën e këtij viti, por keq llogaritja kohore ka bërë që ende të mos caktohet një datë për seancën e parë gjyqësore. Me shumë mundësi ajo do të mbahet vitin e ardhshëm për shkak të vonesave të shumta në procedura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos