Garancia sovrane për bizneset, kompanitë do marrin kredi për pagat e punonjësve

Nga A2 CNN
8 Prill 2020, 13:38 | Ekonomi
Garancia sovrane për bizneset, kompanitë do marrin kredi për

11 miliardë lekë për pagat e punonjësve të bizneseve të mëdha në vështirësi. Kjo është shuma për të cilën qeveria shqiptare ofron garanci sovrane tek bankat tregtare, ndarë sipas pjesës së tregut të çdo banke.

Skema e orientuar drejt biznesit të madh mundëson marrjen e një kredie vetëm për të paguar deri në 3 muaj borderonë e deklaruar tek tatimet. Këto paga në asnjë rast nuk mund të jenë më të larta se 150 mijë lekë.

Norma e interesit për këto kredi nuk do të tejkalojë nivelin e 2,85%, me një afat maksimal prej 2 vitesh. Ndërsa pagesa e kësteve do të nisë 3 muaj pas nënshkrimit të huasë, duke i mundësuar biznesit të kapërcejë periudhën e vështirë.

Për të aplikuar, bizneset e interesuara duhet të paraqesin kërkesën për kredi pranë bankave tregtare deri në 30 ditë nga nënshkrimi i marrëveshjes së garancisë. Marrëveshje që banka e nënshkruan me qeverinë.

Ndërkohë, sipërmarrjet përfituese duhet të nënshkruajnë një marrëveshje mirëkuptimi me qeverinë, që shpreh të drejtën e Ministrisë së Financave për të përfituar kompensim deri në shitjen e aksioneve, në rast se biznesi dështon të paguajë kredinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos