
Në emisionin “I Ftuari” në A2, Arkipeshkvi i Arkidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, George Frendo foli edhe për fenomenin që ka vënë në siklet edhe Papa Françeskun. Çështjen e pedofilisë, me të cilën përballet Kisha Katolike, një fenomen i dënueshëm dhe që cenon shtresën më vulnerabël që janë fëmijët.
Fillimisht për këtë çështje, ai u shpreh se shtypi e ka fryrë këtë problem. “Janë përmendur mëkate, jo vetëm vitet e fundit, por në 50 vitet e fundit. Por pedofilia nuk është vetëm një fenomen i Kishës Katolike. Shumë persona me pozitë të lartë janë përmendur vitet e fundit për pedofili”.
George Frendo theksoi se në Shqipëri nuk janë evidentuar raste pedofilie nga priftërinjtë.
“Nuk ka raste pedofilie të evidentuara në Shqipëri nga priftërinjtë. Ndoshta kur kanë filluar të dalin në pah këto raste, ka qenë edhe një qortim. Por nuk duhet të mendojmë se është një fenomen i Klerik Katolik”, tha numri 1 i Kishës Katolike në vendin tonë.
Më tej, Arkipeshkvi i Arkidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, George Frendo, u shpreh se Kisha Katolike nuk është kundër homoseksualëve, por është kundër martesave të të njëjtit seks. Ai tha se kisha është kundër abortit, sepse jeta ngjizet në embrion. (A2 Televizion)