
Gert Boshnjaku sipërmarrës, i ftuar në “A2Business” me Aurora Sulçen ka folur në lidhje me mundësitë që të ofron tregu shqiptar i punësimit sot, teksa përmendi faktin se ofertat më të mëdha janë kryesisht në sektorët apo industritë që lidhen me tregun e punës edhe në botë, veçanërisht teknologjia, por edhe turizmi, agrikultura apo bujqësia.
Cilat janë mundësitë që ofron tregu shqiptar i punësimit sot?
Dua të ndalem pak te kjo çështja e transformimit të profesioneve. Ti the që në 5 vitet e ardhshme do të kemi profesione që nuk kanë ekzistuar dhe do të zhduken disa të tjerë.
Ne jemi dëshmitarë të këtyre transformimeve që ndodhin me evolucionin e teknologjisë, zhvillimet, risitë digjitale, etj. Ne si kompani me mbi 15 vite në treg e kemi përjetuar transformimin e profesionit. Më parë kishte profesione që ishin shumë të kërkuara, paguheshin mirë, pastaj filluan të dalin jashtë tregut dhe erdhën profesione të tjera, të cilat ne nuk e dinim fare që do të ekzistonin.
Pra ky është një proces që me kalimin e viteve evolucioni sjell gjithmonë këtë qarkullim të profesioneve dhe gjithmonë ne duhet të jemi të përgatitur, më të gatshëm për t’i dalë ballë ndaj çdo ndryshimi.
Përsa i përket se çfarë ofron vendi, aktualisht profesionet më të kërkuara janë industritë që lidhen me tregun e punës edhe në botë, sepse ka shumë njerëz që janë duke punuar nga Shqipëria në një treg global.
Një pjesë e mirë janë të fokusuar te teknologjia, por kemi pjesën e turizmit, e agrikulturës apo bujqësisë, që janë tre nga sektorët që kanë ofertën më të madhe dhe që kërkojnë sa më shumë punonjës. (A2 Televizion)