




















Pamje dramatike tregojnë pasojat e një luftë të vërtetë që ndodhi mes rojeve dhe të burgosurve në një burg në Masaçusets të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi zyrtarët u përpoqën të zhvendposnin të dënuarit për shkak se në godinë do të kryheshin punime.
Por edhe pse autoritetet po përpiqeshin të riparonin disa probleme të vogla në infrastrukturën e burgut, pas përleshjes që ndodhi sepse të dënuarit nuk pranuan të lëviznin, vlera e dëmeve përllogaritet në 200 mijë dollarë.
Zyrtarët siguruan të burgosurit se asgjë nuk do të ndryshonte në qelitë e tyre, por situata përshkallëzoi me shpejtësi. Sipas autoriteteve 17 të burgosur ishin nismëtarë të rebelimit, që zgjati për plot gjashtë orë.
Sherifi Paul Heroux konfirmoi për mediat se do të ketë akuza zyrtare për disa prej të burgosurve, por njoftoi gjithashtu se fatmirësisht nuk u shënua asnjë viktimë. “Fakti që nuk u lëndua askush tregon se vepruam drejt duke zgjedhur momentin e duhur për të ndërhyrë”, tha ai.
Zyartarët kishin miratuar kryerjen e punimeve për të vendosur tualete brenda qelive, sipas rregullores së shtetit të Masaçusetsit. Por të burgosurit u rebeluan dhe u ngujuan në qeli duke kërkuar revista specifike, çmime më të lira për pijet dhe televizorë në qeli.
Stafi i burgut u largua menjëherë nga frika e ndonjë sulmi, ndërsa autoritetet negociuan për disa orë. Në fund, 150 efektivë ndërhynë dhe i nxorën të gjithë të burgosurit në oborr, ku u ulën në gjunjë për kontroll dhe identifikim. (A2 Televizion)