“Vendimi për vizat në fund të vitit'”, Von Cramon: Propozimi franko-gjerman, mundësi e mirë

Nga A2 CNN
24 Tetor 2022, 14:13 | Kosova
“Vendimi për vizat në fund të vitit'”, Von

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha se një vendim për liberalizimin e viza për Kosovën pritet të merret nga mesi i muajit nëntor, apo në fillim të dhjetorit. Gjatë një konferencë për shtyp në Prishtinë, zyrtarja europiane tha se shpreson që të mos vendosen kushtëzime e që procesi të mos lidhet me ndonjë metodologji të re të Bashkimit Europian.

“Ju vërtet keni përmbushur gjithçka që lidhet me liberalizimin e vizave, i keni përmbushur kushtet. Vendimi do të merret diku nga mesi i nëntorit apo fillimi i dhjetorit. Por pyetja që shtrohet është a do të kemi një sistem të ri kushtesh për vizat, që do të ishte krejtësisht i padrejtë, apo do të shohim përfundimisht një datë për liberalizimin”, deklaroi Von Cramon përmes një video.

Gjatë mbledhjes së grupit të punës për vizat në Këshillin Europian, të mbajtur më 13 tetor, zyrtarët francezë raportohet se kanë kërkuar që procesi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Raportuesja për Kosovën në PE foli edhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë duke shprehur mbështetjen për propozimin e Francës dhe Gjermanisë. Sipas saj, edhe nëse kjo marrëveshje nuk përfshin 100 për qind kërkesat e Kosovës në dialog, është më mirë që të fitohet “90 për qind” tani dhe shteti të ecë përpara.

https://a2news.com/2022/10/23/kurti-nuk-tolerojme-prekjen-e-sovranitetit-te-kosoves/

 “Është momenti që të arrihet, nëse jo një marrëveshje përfundimtare, të paktën një pako që do të ishte e pranueshme për dy palët. Shumë njerëz kanë shkruar për propozimin franko-gjerman; kjo është mundësi e madhe dhe do t’i kërkoj kujtdo që është në pushtet dhe që mund të marrë vendime, t’i shqyrtojë me kujdes këto propozime. Mendoj se ky është një rast i mrekullueshëm që dy vendet të ecin përpara drejt integrimit evropian. Kosova si vendi më pro-evropian, duhet ta përkrahë këtë” , shtoi Von Cramon.  

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se propozimi i kërkon Beogradit të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Serbisë në BE.

Edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka shprehur mbështetjen për këtë nismë, duke thënë se do të zhbllokonte rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimeve euroatlantike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos