Gjermania në recesion, inflacioni tkurr ekonominë më të madhe të Europës

Nga A2 CNN
25 Maj 2023, 12:50 | Bota
Gjermania në recesion, inflacioni tkurr ekonominë më të

Inflacioni tkurr ekonominë më të madhe të Europës. Ekonomia më e madhe e Europës u zhyt në recesion në 3 muajt e parë të vitit, sugjerojnë të dhënat e fundit të rritjes në Gjermani.

Analistët vlerësojnë se inflacioni i vazhdueshëm, por edhe kufizimi i furnizimeve me gazin rus pas nisjes së luftës në Ukrainë, e shtynë drejt tkurrjes ekonominë më të qëndrueshme të bllokut.

Një rënie prej 0.3 për qind u regjistrua mes muajve janar dhe mars, që pasoi tkurrjen prej 0.5 për qind në 3 muajt e fundit të vitit.

Një vend vlerësohet të jetë në recesion kur ekonomia e tij pëson rënie për dy tremujorë radhazi.

Nën peshën e inflacionit të madh, konsumatori gjerman ka rënë në gjunjë, duke tërhequr me vete të gjithë ekonominë e vendit”, shprehet analisti Andreas Scheuerle.

Niveli i inflacionit ishte në 7.2 për qind në muajin prill, mbi mesataren e zonës euro, por nën vlerën 8.7 për qind që është në Britaninë e Madhe.

Çmimet më të larta të produkteve të tilla si ushqime dhe veshje kanë renduar te familjarët. Edhe porositë industriale janë gjithashtu më të pakta, çka reflekton ndikimin e çmimeve më të larta të energjisë tek bizneset.

Agjencia federale e statistikave tha se rritja e vazhdueshme e çmimeve kishte vijuar të peshonte mbi ekonominë gjermane.

Ajo kishte parashikuar fillimisht zero rritje në tremujorin e parë të vitit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos