
E gjithë vëmendja e Europës, por jo vetëm, sot është në “Santiago Bernabeu”, aty ku do të luhet dhe gjysmëfinalja e parë e Champions League.
Real Madrid apo Manchester City, vetëm njëra prej këtyre dy gjigantëve të futbollit europian do të sigurojë një biletë për në finalen e madhe të Stambollit.
“Qytetarët” ende nuk e kanë përtypur atë eliminim katastrofik të një viti më parë, kur spanjollët në të njëjtën fazë i eliminuan me përmbysjen 3-1 vetëm 2 minuta para fundit të takimit, për këtë arsye skuadra e Pep Guardiolës kërkon hakmarrje.
Në konferencën në prag të sfidës, tekniku i Real Madrid, Carlo Ancelotti, theksoi se do të jetë një ndeshje e vështirë, por ai që gabon më pak, do të fitojë.
“Kemi skemat tona dhe mund të fitojmë. City është një ekip më i kompletuar. Vitin e kaluar ata kishin një sulmues shumë të rrezikshëm si Gabriel Jesus, por shumë ndryshe nga Haaland. Tani ata përfitojnë nga topat e gjatë. Kjo nuk do të thotë se kanë ndryshuar stil. Janë të organizuar shumë mirë në mbrojtje dhe luajnë mirë me topin. Nëse mbrohesh mirë, rezultati më i keq është barazimi. Kjo nuk do të thotë se nuk do të sulmojmë. Të mos harrojmë që vitin e kaluar ndaj City pësuam 5 gola dhe shënuam 6 në dy ndeshje”, deklaroi Ancelotti.
Ndërsa Pep Guardiola tha se ata nuk po udhëtojnë në Madrid për t’u hakmarrë, por duan finalen dhe në fund trofeun: “Ne nuk jemi këtu për hakmarrje. Është një mundësi tjetër. Një ditë do ta marrim kupën. Do të shkojmë në finale dhe do ta fitojmë. Nuk ndodhi sezonin e kaluar, pasi ne luajtëm me Real Madridin dhe në këtë kompeticion ata e dinë saktësisht se çfarë duhet të bëjnë. Shtatë vjet më parë ne donim të fitonim Ligën e Kampionëve. Sezonin e kaluar ishte sikur fundi i botës, por ja ku jemi përsëri. Të jesh i qëndrueshëm është gjëja më e rëndësishme. E rëndësishme është që ne po përpiqemi të përmirësohemi çdo vit”. (A2 Televizion)