
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe Blendi Klosi, i sapoemëruar në këtë detyrë, kanë dalë sot në një komunikim me gazetarët, pas vendimeve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Në fjalën e tij, Gjiknuri tha se në gjithë këto vite të drejtimit të tij, PS-ja ka arritur rezultate historike, duke kujtuar atë të zgjedhjeve të fundit parlamentare, ndërsa shprehu bindjen se me z. Klosi në krye, ajo do të forcohet edhe më shumë si organizatë.
“Kjo është një ditë e veçantë për mua, pasi pas dy vitesh ia dorëzoj detyrën një kolegu. Gjatë këtyre viteve të drejtimit tim, ka qenë një proces riorgaznizimi. PS-ja arriti një rezultat historik në zgjedhjet e fundit. Partia ka filluar një proces analize sa i përket rezultatit të zgjedhjeve. Jam i bindur që do ta bëjmë PS edhe më të fortë si organizatë.”
Damian Gjiknuri
Ndërkohë, Sekretari i sapoemëruar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi tha se marrja përsipër e kësaj detyre është tepër e rëndësishme dhe kërkon një angazhim maksimal, për ta çuar para këtë forcë politike, e cila sipas tij ka dëshmuar se dita e zgjedhjeve për të është një ditë lufte, gare e fitoreje.
Klosi tha se ndër objektivat më primare nën drejtimin e Partisë Socialiste është sigurimi i fitores së zgjedhjeve të vitit 2025.
“Detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së është një detyrë shumë e rëndësishme. PS e ka dëshmuar në gjithë këto vite se dita e zgjedhjeve për të është një ditë lufte, gare, fitoreje. Dhe dita pa zgjedhje është dita e parë e të menduarit për zgjedhjet e ardhshme. Z. Gjiknuri ka bërë një punë shumë të mirë. Së bashku do ta çojmë në një garë të fortë fitoren e 2025-s, ku Partia Socialiste shkon jo vetëm për të marrë mandatin e saj të katërt, por njëkohësisht me fitoren e këtyre zgjedhjeve të kemi një parti të re, një parti që reformohet, një parti që gjen forcën te struktura e saj, te njerëzit e saj, te mbështetësit e saj, tek ata që presin vetëm te Partia Socialiste e Shqipërisë të ecin përpara. Kjo detyrë do na detyrojë të punojmë shumë, të kemi orë të zgjatura me gjithë strukturën e partisë në çdo zonë, në çdo lagje, për të kuptuar se çfarë njerëzit duan nga Partia Socialiste.”
Blendi Klosi
Kujtojmë se Partia Socialiste i është nënshtruar rifreskimit të ekipit drejtues. Kalimi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm te kolegu Blendi Klosi, i hap rrugën riformatimit të strukturës në funksion të fitores së zgjedhjeve të ardhshme. (A2 Televizion)