Gjiknuri takon shefen e misionit të Odihr: Ambasadorja nuk paraqiti shqetësime, fushata ka qenë e qetë

Nga A2 CNN
21 Prill 2023, 18:04 | Politikë
Gjiknuri takon shefen e misionit të Odihr: Ambasadorja nuk paraqiti

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri është takuar në Selinë Rozë me shefen e misionit të Odihr në Shqipëri, Audrey Glover .

Pas takimit, Gjiknuri tregoi për mediat se me zonjën Glover diskutuan për çështje që i përkasin fushatës, financimit, mbarëvajtjes së proceseve zgjedhore dhe çështje të tjera teknike që lidhjet me zgjedhjet.

I pyetur nëse shefja e Odihr kishte ndonjë mesazh për të majtën qeverisës, Gjiknuri theksoi se misioni është i interesuar të dëgjojë pikëpamjet e çdo partie dhe të bëjë pyetje lidhur me legjislacionin zgjedhor.

Sipas tij, ambasadorja Glover nuk paraqiti ndonjë shqetësim.

Nuk ka ndonjë situatë për t’u shqetësuar. Fushata ka qenë e qetë. Nuk ka pasur probleme të karakterit të organizimit,” tha Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, pavarësisht se dy ngjarje janë regjistruar deri më tani në veri të vendit ku të përfshirë kanë qenë njerëz të angazhuar në politikë.

Megjithatë, për Gjiknurin fakti që viktimat kanë qenë të përfshira në politikë, nuk i bën ngjarjet të motivuara politikisht.

Ndërsa, i pyetur për rreth çështjes së emrit përbri koalicionit “Bashkë Fitojmë” në fletën e votimit,  Damian Gjiknuri me doza ironie tha se demokratët duhet të krenohen me emrin e Ilir Metës në fletën e votimit.  

Kujtojmë se ambasadorja Glover është takuar më herët edhe me Sali Berishën, Ilir Metën dhe Enkelejd Alibeajt. Sa i përket takimit me Berishën, i cili është lënë kryesisht mënjanë nga ndërkombëtarë të tjerë në vizitat e tyre në Tiranë, Gjiknuri tha se nuk është “ndonjë sekret që ai garon së bashku me Metën në zgjedhje,” dhe shefja e misionit të Odihr do të takohet me palët që garojnë në vendoret e 14 majit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos