Gjokuta: Taksa progresive s’ka funksionuar. Prifti: Po taksojmë “mendjen”

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2021, 21:11 | Ekonomi
Gjokuta: Taksa progresive s’ka funksionuar. Prifti: Po taksojmë

Gati dy muaj e gjysmë na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Beteja politike ka nisur dhe në qendër është vendosur ekonomia. Kjo edhe për faktin se vendi po përballet me krizën më të fortë ekonomike që prej falimentimit të piramidave në vitin famëkeq 1997.

Diskursi politik, por edhe publik është fokusuar te taksat. Ndërsa socialistët i qëndrojnë sistemit progresiv, duke premtuar së fundmi një rishikim të tij, por pa dhënë ende detaje, demokratët premtojnë taksën e sheshtë 9%, më e ulët edhe se ajo e aplikuar në kohën e ish-kryeministrit Berisha. Për dy sistemet e taksimit u diskutua këtë mbrëmje në A2 Business Week.

Për Eduart Gjokutajn, drejtues i qendrës studimore të taksave Altax, taksa progresive nuk ka funksionuar.

“Në parimin e saj, taksa progresive duhet të rëndojë mbi secilin sipas të ardhurave që ai përfiton, jo vetëm nga puna, por dhe kapitali. Ndërkohë, në Shqipëri kjo taksë ka rënduar mbi punën. Kapitali nuk ka qenë pjesë e taksimit progresiv në gjithë këto vite. Individët janë rënduar mjaftueshëm mbi punën dhe kjo është përgjithësisht ajo që quhet në gjuhën e zakonshme shtresa e mesme. Ndërkohë, janë edhe ata që duhej të paguanin mbi kapitalin. Këtu duhet të ishin kapitalistët shqiptarë, të cilët duhet të merrnin divident, ta shpërndanin dhe të paguanin tatimin mbi dividentin. E gjithë kjo nuk ka ndodhur. Kemi një taksim progresiv që nuk ka shkuar me parimin ‘kush fiton më shumë, duhet të paguajë më shumë’”, u shpreh Gjokuta.

Ndërsa për Rezart Priftin pedagog në Universitetin e Tiranës problemi nuk qëndron te sistemi. “Ne flasim përherë se si do ta zbrazin këtë thesin e madh, por asnjëherë se si do ta mbushim. Problem nuk ka qenë sistemi i taksave, por moszgjerimi asnjëherë i bazës së taksimit. Tentativa e fundit e qeverisë aktuale që të zgjeronte bazën, futi fermerët me NIPT-e të ndryshme, por nuk funksionoi.

Unë kam një terminologji tjetër për taksimin, të cilën e quaj “taksimi i mendjes”. Në Shqipëri sot, ne po taksojmë mendjen. Në një llogari të thjeshtë fare, po të marrësh 100-200 kompanitë më të mëdha në Shqipëri, ti shikon se ato nuk shpërndajnë ndonjëherë divident dhe mjafton të futesh në bilancet e tyre për të parë se si qarkullon kapitali me anë të manovrës së vjetër të llogarisë së ortakëve. Kjo taksë nuk ka shkuar atje ku do të mbante më tepër pesha e kapitalit”, u shpreh Prifti.

Ndërkohë, Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, tha se rreth 45% e tatimit paguhet nga individë që kanë të ardhura mbi 150 mijë lekë.

“Qeveria ka ulur tatimin mbi pagën në masën 97-98% për të punësuarit në vend, sigurisht janë rritur të ardhurat nga punësimi. Rreth 45% e tatimit paguhet nga individë që kanë të ardhura mbi 150 mijë lekë. Për shtresën e mesme, gjatë vitit të fundit, ne kemi rritur pragun e tatimit për individët me të ardhura mbi 150 mijë lekë, i cili ka qenë 130 mijë lekë. Kjo është bërë për të lehtësuar nivelin e taksimit”, u shpreh zëvendësministrja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos