Gjoni: PS-PD-LSI rrotullohen treshe në krevat

Nga A2 CNN
15 Maj 2020, 09:10 | Politikë
Gjoni: PS-PD-LSI rrotullohen treshe në krevat

Deputeti Ralf Gjoni, në një lidhje direkte me studion e “Dita jonë” në A2, deklaroi se në një kohë kur “besueshmëria e institucioneve dhe partive politike në Shqipëri është në nivelet më të ulëta historike”, tre partitë më të mëdha në vend (PS, PD dhe LSI) “i shkelin syrin njëri-tjetrit dhe rrotullohen treshe në krevat”.

“Në vend që të reflektojnë dhe të dakordësojnë për zgjidhje që të rrisin besueshmërinë e qytetarëve, i shkelin syrin njëri-tjetrit, rrotullohen treshe në krevat dhe mundohen që të kamuflojnë problemin e vërtetë duke tërhequr vëmendjen drejt konflikteve të tjera. Në mes të emergjencës për Reformën Zgjedhore, nisin një sherr tjetër dhe kërcënohen fizikisht për Teatrin”, theksoi Gjoni.

Sipas tij, “hapja e listave elektorale nuk ka nevojë për ndryshim kushtetues”, pasi, “me kuotat gjinore, listat e mbyllura “de facto” janë thyer, duke përfshirë gra dhe vajza deputete”.

“Pra, kuotat gjinore e kanë prekur renditjen e listave. Por, PD-PS-LSI janë dakord që krerët e partive të zgjedhin se kush hyn në Kuvend. Në Këshill Politik ka mungesë sinqeriteti dhe serioziteti. Ne jemi të detyruar që të bëjmë një Reformë Zgjedhore sepse gjoja e kërkon Bashkimi Evropian, a thua se BE-ja dhe burokratët e superpaguar të Brukselit e kanë mendjen te Shqipëria dhe te Reforma Zgjedhore e Oerd Bylykbashit me Petrit Vasilin, që rri si nuse fshati, me sytë ulur. Më shumë flet Rudina Hajdari në Këshill Politik sesa Vasili. Ky është paradoksi i gjithë kësaj”, u shpreh deputeti i pavarur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos