
Edhe një herë, Komisioni Europian tha në progres-raportin për Shqipërinë se vendi është gati që të nisë Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në. Por përsëri, nuk pati një datë për këtë proces, që shënon zyrtarisht nisjen e negociatave për anëtarësim.
Pavarësisht se pranon problemet e brendshme të vetë unionit, ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, thotë se integrimi nuk është më prioritet për Shqipërinë.
“Që prej vitit 2016, kemi thuajse të njëjtin raport. Ka një problem, që qeveria e lexon ndryshe, opozita ndryshe. Por problematikat duhet të lexohen nga qeveria, sepse është ajo që duhet t’i zgjidhë ato. Nëse do të kishim pasur një qeveri pak më të përgjegjshme, mendoj që gjërat do të ishin ndryshe. Pavarësisht problemeve që ka vetë BE. Janë dy çështje që në fund fare përputhen, por të paktën Shqipëria duhet të kryejë detyrën e saj", tha Gjosha.
“Nuk e di cili nga institucionet koordinon procesin, kryenegociatori, që është brenda kryeministrisë. Apo koordinon Ministria e Jashtme që nuk mund të merret vetëm me procesin e integrimit, që e ka kthyer vetëm në një sektor me pak individë. Domethënë, sot, ne nuk e kemi integrimin prioritet dhe kjo është fatkeqësi. Për qytetarët, të cilët duan jo të largohen nga Shqipëria, por kërkojnë një standard jetese më të mirë”.
Sipas saj, qeveria duhet të adresojë dy problemet kryesore të evidentuara edhe në progres-raport, lirinë e shprehjes dhe zgjedhjet. Ndërsa e quajti nismën Ballkani i Hapur një ngërç, për shkak se tejkalon monitorimin e Bashkimit Europian. (A2 Televizion)