
Propozimi i Partisë Demokratike për të “pastruar llumin” përmes Vettingut për politikanët shihet disi me skepticizëm në kampin socialist.
Toni Gogu, deputet i PS-së në emisionin “Debat” në A2 CNN pranon se nuk ka arritur të lexojë ende propozimin ligjor konkret të Partisë Demokratike, por paraprakisht evidenton faktin, se në rastin e Vettingut të gjyqtarëve “ janë larguar disa për shkak të kontakteve të papërshtatshme. Në rastin konkret, kryetari i PD për shkak të kontakteve me një person non grata si Sali Berisha, duhet të ikte?
Gogu shton se “politikanët kanë rregulla loje kushtetuese, për performancën vetohen nga qytetaret çdo 4 vjet, për veprimtarinë kriminale hetohen çdo ditë dhe ndiqen penalisht nga organet ligjzbatuese, prandaj nuk e kam të qartë propozimin”.
Por në parim deputeti thotë se “ nuk ka asnjë sfidë nga gatishmëria e PS. Keni parë si e kemi zbatuar ligjin për dekriminalizimit, do të vazhdoni të shihni gatishmërinë që kur veprimtaria e funksionarëve të lartë të partisë tonë, të bie ndesh me ligjin, PS do të heq mburojën e saj partiake, kjo gjë ka ndodhur, po ndodhë dhe do të ndodhë”. (A2 Televizion)